Ads Top

Si të krijosh dhe mirëmbash një Blog

Në ditët e sotme, duket sikur të gjithë e kanë një blog. Rrjeti është plot me blogje të cilat merren me të gjitha temat e imagjinueshme. Personalisht jam një tifoz i madh i tyre, pasi na lejojnë të gjithëve të bëhemi pak më komunikues me njëri tjetrin. Na mundësojnë të njihemi më mirë, të ndajmë ide, këndvështrime, përvoja dhe interesa si asnjëherë më parë. Të gjithë mund të bëhemi media, kur bëhemi blogerë, dhe është një përvojë e vlefshme për këdo. Por nëse ti nuk e ke hapur ende blogun tënd, mund të përfitosh nga përvoja e të tjerëve, për të shmangur gabimet e zakonshme të një blogeri të ri, duke ndjekur disa këshilla të thjeshta.

Në radhët që vijojnë do të paraqes një listë të gjërave që duhet të bëni për të krijuar dhe mirëmbajtur një blog të suksesshëm.

Ç'lloj blogu do të jetë?

Kjo është pyetja e parë me të cilën duhet të ballafaqohemi kur kemi marrë vendimin të hapim blogun. Cila është natyra që duam t'i japim këtij blogu? Çfarë duam të komunikojmë përmes tij, dhe mbi të gjitha me kë? Përcaktimi i audiencës së cilës i drejtohemi është thelbësor.

A do të jetë një blog personal apo kolektiv? Do të jetë një blog i fokusuar në temë të caktuar, apo një blog me tematikë të gjerë, pa ndonjë specializim të veçantë? Disa njerëz preferojnë të mbajnë blogje që ngjajnë si ditarë online, ku ata shkruajnë mbi përjetime të ndryshme të së përditshmes. Këta janë blogje të përgjithshëm që variojnë në tema, nga një reklamë në televizion, tek humbja e një telefoni celular. Të tjerë preferojnë të krijojnë blogje më të përqendruar, zakonisht në lidhje me një hobby apo interes të caktuar. Të tillë janë blogjet e kuzhinës, fotografisë apo ato ku dikush poston poezitë e tij të pabotuara. Po blogu yt si do të jetë? A do kesh kohë të merresh me të çdo ditë, apo disa herë në javë? Kur të kesh një përgjigje të qartë për secilën nga pyetjet e këtij paragrafi, do të jesh pothuajse gati për të hapur blogun tënd të parë.

Blogo mbi diçka që e ke pasion
Nisja e një blogu është gjithmonë e këndshme, ti po çel dritaren tënde përpara botës dhe pas disa klikimesh postimi yt i parë publikohet dhe kushdo që ka një lidhje me internetin, kudo në botë, mund ta lexojë. Si çdo gjë e re, është një eksperiencë tërheqëse në fillim. Pas postimit të parë ti lëshon një të dytë, pastaj një të tretë. Kënaqesh duke i parë postimet e tua, por asgjë nuk ndodh. Atëherë ti vë re se vetëm pak njerëz të kanë lexuar, edhe këta me gjasa janë miqtë e rrethit tënd të ngushtë të cilëve ju ke treguar për blogun. Blogu yt është i panjohur. Ti dekurajohesh dhe vendos të mos shkruash më aq shpesh, deri sa një ditë vendos të mos shkruash më fare. Që ky skenar të mos ndodhë, duhet që ky blog të mos jetë thjesht një tekë e çastit, por të jetë zgjatim i një pasioni të fortë, i cili do të të furnizojë me ide dhe tema të mira, si dhe me durimin që duhet të kesh me një blog të ri, që në fillim ka fare pak lexues.

Cilën teknologji të zgjedh?

Tani që e kemi të qartë mbi çfarë do të blogojmë, jemi gati të ulemi para kompjuterit dhe të krijojmë blogun tonë të parë. Ka disa shërbime falas në internet që na mundësojnë të ndërtojmë blogje fantastike pa paguar asnjë qindarkë. Këtu po përmend vetëm katër më popullorët, dhe karakteristikat e secilit:

Blogger është shumë i përshtatshëm për fillestarët. Blogger është platformë që përdoret shumë lehtë dhe do ta gjeni veten duke postuar sa hap e mbyll sytë, edhe nëse nuk keni fare përvojë. WordPress është njëra nga platformat e preferuara pasi është i thjeshtë por ofron një mori opsionesh (që mund ta bëjnë blogun tënd më "profesional") nëse vendos ta marrësh blogimin më seriozisht.

Tumblr është zgjedhja për ata që duanë të postojnë shumë imazhe dhe video në blogun e tyre. TypePad nuk ofron shumë opsione, por është një platformë e thjeshtë dhe shumë e qendrueshme.

Si ta quaj Blogun tim?

Kjo është dilema e parë madhore që duhet të përballni kur vendosni të hapni një blog. Emri është shumë i rëndësishëm për blogun tuaj. Duhet zgjedhur një emër që u jep njerëzve arsye për ta vizituar blogun tuaj, dhe jo anasjelltas. Megjithatë, emri i blogut duhet të jetë domethënës dhe i thjeshtë për t’u mbajtur mend. Në këtë çast duhet të vendosni gjithashtu nëse do të shkruani me emrin tuaj të vërtetë apo do të përdorni një pseudonim. Personalisht preferoj identifikimin me emrin e vërtetë, por kjo duhet të jetë zgjedhja e gjithësecilit, kini parasysh që postimet në blogun tuaj mund të shihen nga kushdo.

Facebook dhe Twitter!

Pasi të kesh publikuar postimin tënd të parë, bëj diçka që do ta ndihmojë blogun tënd të ri në mënyrë të jashtëzakonshme. Hap një faqe në Facebook dhe një llogari në Twitter me emrin e blogut dhe posto në këto rrjetje sociale të gjitha sa poston në blogun tënd. Këtë mund ta bësh në mënyrë automatike. Ka disa shërbime që mundësojnë që materialet që ti ke postuar në blog, të postohen automatikisht edhe në llogarinë e Facebook dhe Twitter. Por mund ta bësh edhe me mënyrën tradicionale “Copy/Paste”.

Aparatin me vete

Në ditët kur jetojmë është fare e lehtë t’i shoqërosh postimet e tua me fotografi ilustruese. Fotografitë i japin një dimension plotësues dhe argëtues blogut tuaj, dhe e bëjnë atë më të këndshëm. Në rast se blogon mbi udhëtimet, gatimet apo çudirat që të bëjnë përshtypje nëpër qytet, është e domosdoshme që postimet të jenë të shoqëruara me imazhe, mbi të cilat ngrihet mesazhi që ti përcjell në blog. Nëse nuk ke një aparat të mirë fotografik, kujtohu se sot celularët janë pothuajse të gjithë të pajisur me një aparat fotografik të thjeshtë.

Dhe ja ku u bëre bloger!

Kaq është e gjitha... pothuajse. Duhet vullnet, dëshirë për komunikim, talent për të shkruar, aftësi për të reflektuar, guxim për të provokuar, organizim për të gjetur kohën... duhen shumë gjëra, por mos e lër këtë të të trembë. Blogu është si një vegël muzikore. Nëse e ke me shumë qejf do ta mësosh. Në fillim ngadalë dhe me gabime, por me praktikë, do të mësosh vetvetiu sekretet e blogimit të sukseshëm./
GO TECH ALBANIA

Nessun commento:

Powered by Blogger.